Hyj i tregon nuses se rregulltarët dikur hynin në manastire nga frika e shenjtë dhe dashuria hyjnore, ndërsa tani armiqtë e Hyjit, domethënë rregulltarët shtiracakë, dalin në botë nga krenaria e ligë dhe lakmia; për kalorësit dhe shërbimin e tyre kalorsiak.
Libri 4 - Kapitulli 36

Dëgjo tani se ç’bëjnë armiqtë e Mi që sillen ndryshe nga ç’bënin dikur miqtë e Mi.
Miqtë e Mi hynin në manastir të shtyrë nga frika e urtë dhe dashuria hyjnore. Ndërsa ata që tani ndodhen në manastire dalin në botë nga krenaria dhe lakmia, ndjekin dëshirat e tyre egoiste dhe jepen pas kënaqësive të trupit. Ata që vdesin në gjendje të tillë as do ta provojnë e as do ta fitojnë gëzim qiellor, por do të ndëshkohen pafundësisht në ferr. Ta dish edhe që mes tyre nuk llogariten ata që jetojnë në klauzurë por detyrohen nga dashuria hyjnore dhe kundër vullnetit të vet të bëhen eprorë. Kalorësit dikur mbanin armë, ishin gati ta jepnin jetën për drejtësinë dhe ta derdhnin gjakun për fenë e shenjtë, i ndihmonin nevojtarët që të fitonin të drejtën dhe i bënin zap bakëqinjtë.

Por tani dëgjo sa shumë kanë ndryshuar. Tashmë ata dëshirojnë të vdesin në luftë prej krenarisë, lakmisë dhe zilisë, të shtyrë nga djalli, dhe jo të jetojnë sipas urdhëresave të Mia për të fituar gëzimin e amshuar. Prandaj dënimi i pret të gjithë ata që vdesin në gjendje të tillë. Kjo do të thotë se do të bashkohen përjetësisht me djallin. Ndërsa ata që më shërbejnë do të marrin shpërblimin që u takon ushtarëve e do të bashkohen përjetësisht me ushtrinë qiellore."