Krishti e pyet nusen për gjendjen e botës dhe ajo i përgjigjet se bota është si një thes i hapur drejt të cilit rendin të gjithë pa u menduar; ndëshkimi i rreptë dhe i drejtë që Krishti do t’u japë njerëzve të tillë.
Libri 4 – Kapitulli 37

Biri thotë: "Bijë, në ç’gjendje është bota tani?" Ajo përpigjet: "Është si një thes i hapur ku nxitojnë të gjithë, si njerëz që vrapojnë kuturu." Hyji përgjigjet: "Prandaj më takon të dal me plug në dorë dhe t’i marr përpara paganë e të krishterë, duke mos kursyer as të moshuar as të rinj, as të varfër as të pasur. Secili do të gjykohet sipas veprave dhe secili do të vdesë në mëkatin e vet dhe shtëpitë e tyre do të mbesin të shkreta. Këtë do ta bëj kur t’i vijë koha."

Ajo u përgjigj: "O Zot, mos u zemëro nëse flas. Dërgoju atyre disa prej miqve të Tu që t’i paralajmërojnë dhe t’u tërheqin vëmendjen për rrezikun që u kanoset!" Dhe Zoti tha: "Është shkruar se kur i pasuri përfundoi në ferr dhe e humbi shpresën për të shpëtuar, ai kërkoi që dikush t’u çohej vëllezërve të tij që ata të mos pësonin të njëjtin fat. Përgjigja që mori ishte: 'Në asnjë mënyrë, sepse ata kanë Mojsiun dhe profetët për t’i mësuar.' Prandaj po të them: Ata kanë Ungjijtë dhe thëniet e profetëve, kanë fjalët dhe shembujt e doktorëve të shenjtë, kanë arësye dhe inteligjencë. Le të përfitojnë prej tyre dhe do të shpëtohen. Po të të dërgoja, ti nuk do të ishe në gjendje të bërtisje aq fort sa të dëgjoheshe. Nëse dërgoj miqtë e Mi, ata janë të paktë dhe nëse bërtasin zor se do të dëgjoheshin.
Por do t’ua dërgoj miqtë e Mi atyre që do të vendos dhe ata do t’i përgatisin udhën Hyjin."