Hyji i flet nuses për dy shpirtra, të mirin dhe të ligun; dhe për një zonjë që kishte luftë mendimesh që shkaktohej nga frymëzimet e shpirtit të mirë dhe tundimet e shpirtit të keq; dhe si duhet vepruar në raste të tilla.
Libri 4 - Kapitulli 4

Hyji i flet nuses: "Mendimet dhe ndikimet sugjerohen dhe nguliten në zemrën e njeriut nga dy shpirtra, domethënë nga shpirti i mirë dhe nga shpirti i keq. Shpirti i mirë i nxit njerëzit të mendojnë për të mirat e ardhshme qiellore dhe që të mos jepen pas të mirave kalimtare. Shpirti i lig i shtyn të duan çka shohin, ta marrin lehtë mëkatin, t’i justifikojnë dobësitë dhe sjell si shembull mëkatarët e dobët. Lërmë të ta ilustroj sesi secili prej këtyre shpirtrave e ndez flakë zemrën e zonjës që ti njeh. Shpirti i mirë i thotë asaj sa vijon, duke i sugjeruar në mendje: 'Pasuritë janë barrë, nderet e botës flluskë sapuni, kënaqësitë trupore thjesht ëndërr, gëzimi kalimtar dhe gjithë gjërat tokësorë janë gjëra boshe, gjykimi i ardhshëm është i pashmangshëm dhe gjykatësi shumë i rreptë. Prandaj më duket shumë e rëndë të japësh llogari fill-e-për-pe për pasuritë kalimtare, të meritosh fatkeqësi shpirtërore për hatër të flluskave të sapunit, të durosh vështirësi të pafund për hir të kënaqësive jetëshkurtër dhe të përgjigjesh para Atij që di gjithçka qysh përpara se të ndodhë. Prandaj është më mirë të heq dorë nga shumë prej këtyre gjërave e kështu të më duhet të jap llogari për më pak gjëra dhe jo të mbaj shumë e pastaj të jap llogari për shumë.'

Në kundërshtim me këto, shpirti i keq përgjigjet me këto frymëzime: 'Largoji këto mendime, sepse Hyji është i butë dhe qetësohet lehtë. Mos ki frikë të kesh pasuri, ji dorëlëshuar me to. Ti ke lindur për të qenë e pasur. Të është dhënë pasuria që të fitosh lëvdata dhe të mund t’u japësh atyre që të kërkojnë. Nëse heq dorë nga pasuria, do të bëhesh shërbëtore e shërbëtorëve të tu. Do të çnderohesh dhe do të të vënë në lojë, pasi për të varfrin nuk ka rehati. Do ta kesh të vështirë të mësohesh me zakonet e reja, t’i vësh fre trupit trupit me mënyra të çuditshme dhe të jetosh pa shërbëtorë. Prandaj qëndro ku je, me nderet që ke marrë, dhe mbaj postin tënd të nderuar. Administroje shtëpinë tënde në mënyrë të lëvdueshme që të mos të të akuzojnë për paqëndrueshmëri nëse ndryshon statusin tënd. Vazhdo siç fillove dhe do të jesh e lavdishme para Hyjit dhe njerëzve."

Shpirti i mirë prapë i flet mendjes së gruas dhe e këshillon:
'Di se dy gjëra janë të përjetshme – qielli dhe ferri. Ai që e do Hyjin mbi gjithçka, nuk do të përfundojë në ferr. Ata që nuk e duan Hyjin nuk do të hyjnë në qiell. Vetë Hyji i bërë njeri e hapi rrugën për në qiell dhe e konfirmoi me shjenja dhe me vdekjen e Tij. Sa e lavdishme është të jesh në qiell, sa e hidhur ligësia e djallit, sa boshe gjërat tokësore! Nëna e Tij dhe gjithë shenjtërit e imituan Hyjin: ata zgjodhën të durojnë çdo ndëshkim dhe të humbasin gjithçka – madje edhe e përbuzën vetveten –për të mos humbur trashëgiminë qiellore dhe të përjetshme. Prandaj, është më mirë të hiqet dorë nga nderet dhe pasuria sa ka kohë sesa të mbahen ato deri në fund. Në rast të kundërt, kujtesa e mëkateve ka ngjasa të fillojë e të zbehet sa më shumë shtohen dhimbjet me kalimin e moshës dhe ata që nuk duan t’ia dinë fare për shpëtimin tim do të trashëgojnë çka unë kam.'

Ndikimi i keq iu përgjigj ndryshe: 'Mos mendo për këto gjëra. Jemi njerëz të dobët, ndërsa Krishti ishte Hyj dhe njeri. Nuk duhet t’i krahasojmë veprat tona me ato të shenjtërve që kishin hir dhe miqësi më të ngushtë me Hyjin. Lë të mjaftohemi me shpresën për qiellin dhe të jetojmë siç i shkon për shtat dobësisisë sonë, duke i shlyer mëkatet me lëmoshë dhe lutje. Është budallallëk dhe papjekuri të zbatosh praktika të pazakonta dhe të mos jesh në gjendje t’i çosh deri në fund.'

Ndikimi i mirë u përgjigj: 'Nuk jam e denjë të krahasohem me shenjtërit. Por prapë është mirë të synosh në arritjen gradualisht të përsosmërisë. Ç’më pengon të zbatoj praktika të pazakonta? Hyji mund të më ndihmojë. Ndodh shpesh që ndonjë varfanjak ndjek rrugën e një fisniku të fuqishëm dhe të pasur. Edhe pse fisniku arrin më shpejt në bujtinë dhe i gëzohet një ushqimi të shijshëm dhe një shtrati të butë, prapë edhe varfanjaku arrin tek po ajo bujtinë, edhe pse më vonë, dhe aty ushqehet me çka ka tepruar nga ushqimi i fisnikut. Nëse nuk do të kishte ndjekur udhën e fisnikut dhe nuk do të kishte kërkuar të njëjtën bujtinë, nuk do të kishte ngrënë ushqimin e fisnikut.

Prandaj unë mendoj se edhe pse nuk jam e denjë të krahasohem me shenjtërit, dëshiroj të ndjek udhën e tyre që të paktën të kem pjesë në meritat e tyre. Me shqetësojnë dy gjëra në shpirtin tim.
E para është se nëse qëndroj në atdhe, krenaria mund të më mposhtë. Dashuri për të mitë që kanë nevojë për mua, më trazon; numri i madh i shërbëtorëve dhe veshjeve është barrë për mua. Ideja për ta braktisur fronin tim të krenarisë dhe për ta përvujtëruar trupin duke shtegtuar më tërheq më tepër se mosheqja dorë nga nderet dhe shtimi i mëkateve. E dyta, më shqetëson varfëria dhe pakënaqësitë e njerëzve. Në vend që t’i ndihmojë, prania ime është barrë e rëndë për ta. Prandaj kam nevojë për këshillim.'

Ndikimi i keq u përgjigj: 'Shtegtimi është shenjë e një mendjeje të paqëndrueshme. Mëshira është më e mirë se vetëmohimi. Nëse e lë atdheun, njerëz lakmitarë, që do të kenë dëgjuar për famën tënde, do të të plaçkisin dhe do të të rrëmbejnë. Dhe në vend të lirisë do të provosh robëri; në vend të pasurisë, varfëri; në vend të nderit, turp; në vend të paqes, trazim.' Shpirti i mirë u përgjigj me një frymëzim: 'Kam dëgjuar për një rob të mbyllyr në një kullë që gjeti paqe më të madhe në robëri dhe në errësirë sesa kish patur më parë kur jetonte në bollëk dhe të mira kalimtare. Nëse Hyjit i pëlqen të më japë vuajtje, këtë do ta bëjë për të rritur meritat e mia. Në fund të fundit, Ai është dashamirës dhe nuk vonon të ndihmojë, sidomos meqë unë po largohem nga atdheu për shkak të mëkateve të mia dhe për të fituar dashurinë e Hyjit.'

Ndikimi i keq ia ktheu: 'Ç’do të ndodhë nëse ti nuk e meriton ngushëllimin hyjnor dhe nuk do bën durim në varfëri dhe përvujtëri? Do të pendoheshe që iu fute një disipline kaq të rreptë. Në vend të unazës në dorë do të kesh një bastun, në vend të kurorës në kokë do të kesh një pëlhurë, në vend të fustanit të kuq një veshje të thjeshtë.' Shpirti i mirë u përgjigj: 'Kam dëgjuar se shenjtja Elizabetë, bija e mbretit të Hungarisë, e rritur në luks dhe e martuar me një fisnik, duroi varfëri dhe përvujtëri të madhe. Hyji e ngushëlloi më tepër në varfëri dhe i dha shëprblim më të madh sesa po të kish jetuar mes ndereve dhe komoditeteve tokësore.'

Frymëzimi i keq ia ktheu: 'Po nëse Hyji të dorëzon në duart e bakëqinjve dhe ata të përdhunojnë? Si do ta duroje këtë? A nuk do të pendoheshe për kokëfortësinë tënde dhe nuk do të arrije të gjeje ngushëllim? A nuk do ta skandalizonte të gjithë familjen tënde dhe t’I zhyste në trishtim? Me siguri në zemër do t’u lindnin ndjenja padurimi, ankthi, mosmirënjohjeje ndaj Hyjit. Ti do të doje t’i jepje fund jetës! Dhe si do të guxoje t’u dilje para të tjerëve kur nuk ka mbetur njeri pa të marrë nëpër gojë?' Nga ana e tij mendimi i mirë u përgjigj: 'Kam dëgjuar se virgjëra e shenjtë Luçie, kur po e çonin në një shtëpi publike, nuk e humbi besimin dhe besoi në mirësinë e Hyjit, duke thënë: 'Pavarësisht se ç’mund të pësojë trupi im, unë prapë jam virgjër dhe do të marr kurorë të dyfishtë.' Duke parë besimin e saj, Hyji e ruajti nga përdhunimi. Prandaj unë them: Hyji që nuk lejon që njeriu të tundohet përtej fuqisë së vet, do t’i mbrojë shpirtin, besimin dhe vullnetin tim. E braktis veten plotësisht në duart e Tij. U bëftë mbi mua vullneti i Tij!'

Meqenëse kjo zonjë luhatet nga këto mendime, po i jap tre këshilla. E para, që të sjellë ndërmend nderin për të cilin është zgjedhur; e dyta, dashurinë që Hyji i ka treguar në martesën e saj; e treta, me sa mirësi ajo është mbrojtur në këtë jetë kalimtare. I jap tre paralajmërime. E para, se do t’i përgjigjet Hyjit për të mirat tokësore të saj, si e ka fituar dhe përdorur edhe kacidhen më të vogël; e dyta, se nuk e ka të gjatë dhe do të vdesë më shpejt nga ç’e pandeh; e treta, se Hyji nuk tregohet më i butë me zonjën se me shërbëtoren.

Prandaj i këshilloj të bëjë tre gjëra. E para, të pendohet për mëkatet e veta, t’i shlyejë ato pasi të jetë rrëfyer mirë dhe ta dojë Hyjin me gjithë zemër. E dyta, e këshilloj të ketë kujdes që t’i shmangë vuajtjet e purgatorit. Ashtu sikurse ai që nuk e do Hyjin me gjithë zemër meriton ndëshkim të madh, po ashtu ai që nuk i shlyen mëkatet sa ka ende kohë, meriton purgatorin. E treta, e këshilloj që për një farë kohe t’i lërë miqtë tokësorë për hir të Hyjit dhe të shkojë aty ku distanca mes qiellit dhe vdekjes është e shkurtër, që t’i shmangë vuajtjet e purgatorit, sepse atje fitohen indulgjenca të fituara me gjakun e shenjtërve të Hyjit."