Shën Pjetri i tregon nuses si ai dëshironte që njerëzit të shëlboheshin; e këshillon si ta fitojë kujtesën dhe për mrekullitë e mëdha që do të ndodhin në qytetin e Romës.
Libri 4 - Kapitulli 5

Shën Pjetri i drejtohet nuses së Krishtit: "Bija ime, ti më krahasove më nje plug që hap brazda të gjera dhe shkul rrënjë. Kjo është e vërtetë. Unë isha aq i zellshëm kundër mëkatit dhe aq i flaktë për të vërtetën sa isha gati të mos e kurseja as jetën as mundin për ta kthyer të gjithë botën tek Hyji. Ishte aq e ëmbël për mua të mendoja për Hyjin, të flisja për të, të veproja për të saqë ishte hidhërim për mua të mendoja për gjëra të tjera përveç Hyjit. Por Hyji ishe edhe i hidhur për mua, jo për faj të Tij por fajin tim.. sa shumë dënesja kur mendoja si e kisha fyer dhe mohuar, pasi tashmë e dija ç’do të thoshtë të doje përsosshmërisht dhe lotët më ishin të ëmbël si ushqim me shije të ëmbël.

Sa për kërkesën tënde për të patur shpirtin e kujtesës, të përgjigjem: A nuk ke dëgjuar sa harraq kam qenë unë? Kisha mësuar për udhën e Hyjit dhe isha betuar të qëndroja dhe vdisja me Hyjin, por e mohova të vërtetën kur më pyeti një grua. Dhe përse? Sepse Hyji më kish lënë vetëm dhe sepse nuk e njihja vetveten. Por ç’bëra pastaj? Reflektova ç’isha me të vërtetë – asgjë në vetvete. Pastaj u ngrita dhe renda drejt së vërtetës, drejt Hyjit dhe Ai më nguliti në zemër një kujtesë të tillë për emrin e Tij saqë nuk mund ta harroja më kurrë qoftë para tiranëve apo torturave ose vdekjes.

Prandaj vepro dhe ti kështu: Drejtoju me përvujtëri mësuesit të kujtesës dhe kërkoji kujtesë. Ai është i vetmi që mund të bëjë gjithçka. Unë do të të ndihmoj që ti të kesh pjesë në farën që unë mbolla në tokë.

Përveç kësaj, po të rrëfej: Roma dikur ishte qyteti i luftëtarëve dhe rrugët e saj ishin shtruar me ar dhe argjend. Por tani xhevahirët e saj janë shndërruar në baltë, banorët e saj janë të paktë; ua kanë nxjerrë syrin e djathtë, dorën e djathtë ua kanë prerë; hardhuca dhe nepërka banojnë me ta dhe nga frika e helmimit kafshët shtëpiake nuk guxojnë të dalin, e as peshqit e mi nuk guxojnë ta nxjerrin kokën. Por në të do të mblidhen peshq, edhe pse jo aq sa më parë; do të jenë të butë dhe guximtarë – e në sajë të bashkëpunimit të tyre hardhucat dhe bretkocat do t’ia mbathin tatëpjetë, gjarpërinjtë do të shndërrohen në qengja, luanët do të rrinë si pëllumba në dritaret e tyre."

Prapë shtoi: "Po të rrëfej se ti do të jesh gjallë e do t’i dëgjosh këto fjalë: 'Rroftë pasardhësi i Pjetrit!' Dhe do ta shohësh me sytë e tu, pasi do ta shembë malin e kënaqësive dhe ata që gjenden aty të zbrezin prej tij. Ata që nuk zbresin me hir, do të detyrohen të zbresin me pahir, pasi Hyji dëshiron ta lëvdojnë me mëshirë dhe sinqerisht."