Nusja vajton para madhërisë hyjnore sepse katër motrat Përvujtëri, Vetpërmbajtje, Kënaqësi dhe Dhembshuri, bija të Jezu Krishtit Mbret, tani përçmohen dhe motrat Krenari, Dëshirë, Ekses dhe Rryshfete, bija të Mbretit Djall, quhen fisnike.
Libri 4 - Kapitulli 45

Unë vetë dhe në emër të shumë të zgjedhurve të Hyjit vajtoj përpara Madhërisë Sate për fatin e keq të katër motrave, vajzat e një mbreti të fuqishëm, secila prej të cilave kish pushtet në pronën e trashëguar. Të gjithë ata që deshën ta kundrojnë bukurinë e motrave, gjetën ngushëllim nga bukuria dhe shembulli i tyre i mirë i përshpirtshmërisë. Motra e parë quhej Përvujtëri në gjithçka që duhet bërë. Motra e dytë quhej Vetëpërmbajtje nga marrëdhëniet mëkatare. E treta quhej Kënaqësi pa ekses. Motra e katërt quhej Dhembshuri për të afërmin. Këto katër motra tani përçmohen në pronat e tyre të trashëguara dhe gati të gjithë i vënë në lojë.

Në vend të tyre janë lartësuar katër motra të paligjshme. Edhe pse janë fryt kurorëthyerjeje, ato tani i quajnë fisnike. E para prej tyre është Zonja Krenari, që jeton për botën. E dyta quhet Zonja Dëshirë, që ia plotëson trupit çdo oreks. E treta quhet Zonja Ekses përtej çdo limiti. E katërta quhet Zonja Rryshfete mashtrimit të së cilës gati asnjë nuk i shpëton pasi si atëherë kur gjërat fitohen me të drejtë ashtu edhe kur fitohen padrejtësisht, ajo i përlan të gjitha. Këto katër zonja u kundërvihen normave të Hyjit, duan t’i shfuqizojnë e bëhen shkak mallkimi të përjetshëm për shumë shpirtra.

Prandaj sillu në përputhje me dashurinë që Hyji të ka shfaqur dhe nxito t’i rimëkëmbësh katër motrat e quajtura virtyte që burojnë nga vetë virtyti i Jezu Krishtit, mbretit të madhërishëm, dhe që tani shpërfillen në Kishën e Shenjtë, prona e trashëguar e Krishtit. Me këmbë duhen shkelur veset që quhen zonja në këtë botë, trathtaret e shpirtit, të lindura nga djalli trathtar, vesi vetë.