Nusja sheh në vegim një burrë dhe një grua dhe një engjëll i tregon kuptimin shpirtëror të vegimit.
Libri 4 – Kapitulli 52

M’u shfaq një burrë që i kishin dalë sytë kallup e i vareshin nëpër faqe nga muskujt. Kishte veshë qeni, flegra kali, gojë prej ujku të tërbuar, duar si thundra kau të madh dhe shputa prej shpendi grabitqar. Pranë tij qëndronte një grua me flokë si kaçube, me sytë mbrapa koke, me veshë të prerë, me hund plot qelb e gjak të mpiksur, me buzë si dhëmbë gjarpri e me një thumb helmues në gjuhë, me duar si bisht dhelpre, me këmbë si dy akrepa.

Isha zgjuar, nuk po flija kur pashë këtë dhe thashë: "Oh, ç’është kjo?" Menjëherë një zë i ëmbël më foli aq butësisht saqë gjithë frika më iku. Ai tha: "Ti që po e sheh këtë, çfarë mendon se është?" Unë u përgjigja: "Nuk di nëse qeniet që po shoh janë djaj apo ndonjë lloj bishe apo njerëz të krijuar kështu nga Hyji." Zëri ma priti: "Nuk janë djaj pasi djajtë nuk kanë trup siç kanë këta, e as janë bisha sepse kanë lindur nga raca e Adamit edhe pse nuk u krijuan me këtë formë nga Hyji. Para Hyjit paraqiten të shëmtuar në shpirt nga djalli. Këtë po e sheh me forma trupore, por unë do të të tregoj kuptimin shpirtëror të kësaj.

Ti sheh sytë e atij burrit që duket se i kanë dalë kallup e i varen nëpër faqe nga muskujt. Me dy muskujt duhet të kuptosh dy gjëra. E para se ai besonte se Hyji jeton përjetësisht. E dyta se ai besonte se shpirti i tij do të jetonte në përjetësi i lumtur ose i dëshpëruar pas vdekjes së trupit. Dy gjëra duhet të kuptosh nga dy sytë. E para se ai duhej të kishte reflektuar si ta shmangte mëkatin dhe e dyta si mund të kishte kryer vepra të mira. Këto dy sy i kanë dalë në kuptimin që ai nuk bëri vepra të mira nga dëshira për lavdi qiellore dhe nuk i largohej mëkatit nga frika e ndëshkimit në Xhehena. Ka veshë qeni sepse ashtu si qenit nuk i bëhet vonë ta dijë emrin e të zotit apo të ndonjë qeni tjetër aq sa të tijin, edhe ky shpirt nuk kujdesej për nderin e emrit të Hyjit siç kujdesej për nderin e emrit të vet.

Ka edhe flegra kali sepse ashtu sikurse kur kali lirohet nga bajgat e veta i pëlqen ta fusë hundën në to, po ashtu edhe ky njeri. Kur bën mëkat, që para Hyjit është i neveritshëm si bajgë, atij i pëlqen të mendojë për erën e tij të qelbur. Ka gojë prej ujku të tërbuar që edhe pse e ka plot gojën dhe barkun me gjërat tashmë të para, prapë dëshiron të përlajë çdo gjë që i kapin veshët.

Ai ka dhe duar si thundra kau të stërmadh. Një ka i zemëruar e zgërlaq një kafshë më të dobët me forcën e tërbimit të vet, duke e shtypur me thundra ku të mundet, në trup, zorrë dhe gjithçka, derisa t’i dalë shpirti. Po kështu edhe ky njeri. Kur zemërohet, ai nuk di ç’bën me armikun, i vërsulet pa menduar fare se shpirti i njeriut mund të përfundojë në ferr apo se dhimbjet mund t’i shkaktojnë vdekjen. Ka shputa prej shpendi grabitqar. Kur një grabitqar mbërthen ndonjë gjë me kthetrat e veta, e shtrëngon aq fort saqë nuk e mbajnë më këmbët nga dhimbja dhe e lëshon pa e kuptuar ç’ka kapur. Kështu edhe ky njeri. Ai dëshiron t’i mbajë të mirat padrejtësisht të fituara derisa të vdesë, por do të detyrohet t’i lërë kur të mos ketë më takat.

Flokët e së shoqes janë si kaçube. Flokët që e hijeshojnë fytyrën e njeriut simbolizojnë vullnetin që digjet nga dëshira t’i pëlqejë Hyjit të tejetlartë. Kjo e hijeshon shpirtin në sytë e Hyjit. Meqenëse vullneti i kësaj gruaje digjej t’i pëlqente botës dhe jo Hyjit të tejetlartë, flokët e saj duken si kaçub. Sytë i duken mbrapa kokës pasi i largonte sytë e mendjes nga mirësia e Hyjit që e kish krijuar dhe shëlbuar dhe kujdesej për nevojat e saj. Ajo i përkushtohet gjërave kalimtare edhe pse ato i largohen dita-ditës derisa do t’i humbasë fare. Veshët duken të prerë në kuptim shpirtëror pasi nuk do t’ia dijë fort për doktrinën e Ungjillit të Shenjtë apo për të dëgjuar predikime.

Hundën e ka plot me gjak të mpiksur, sepse ashtu si një aromë e mirë këndshëm kalon në tru nga hunda për ta kënaqur, edhe ajo gjen gëzim atëherë kur bën gjithçka i pëlqente trupit të saj. Buzët i ka si dhëmbë gjarpri dhe në gjuhë ka një thumb helmatisës. Edhe kur gjarpri i mban dhëmbët shtrënguar për të ruajtur thumbin se mos i thyhet, fëlliqësia e gojës prapë i del nga hapësirat mes dhëmbëve. Edhe ajo i mbyll buzët e nuk rrëfehet sinqerisht që të mos heqë dorë nga kënaqësitë e mëkatit që është si dhëmb helmatisës për shpirtin, e megjithatë fëlliqësia e mëkatit të saj ështe njëlloj e dukshme në sytë e Hyjit dhe të shenjtërve të Tij."

SQARIM
"Më parë të tregova për gjykimin dhe anullimin e një martese të lidhur në kundërshtim me rregulloret e kishës. Tani do të ta shpjegoj më qartë. Pe që duart e gruas ishin si bishta dhelpre dhe këmbët si akrepa. Kjo sepse ashtu siç ishte e padisiplinuar në trup dhe pasione, po ashtu me butësinë e duarve dhe mënyrën e të ecurit ajo e eksitonte të shoqin dhe ia pickonte shpirtin më keq se akrepi."

Taman në atë çast u shfaq një etiopas me cfurk në dorë dhe tre kthetra të mprehta. Ai tha me zë të lartë: "Gjykatës, tani erdhi koha ime. Unë kam pritur dhe heshtur. Tani është koha për veprim!" Menjëherë pashë një burrë dhe grua lakuriq para gjykatësit tek Ai qëndronte atje që bashku me ushtrinë e tij të panumërt.
Gjykatësi u tha atyre: "Edhe pse Unë di gjithçka, na tregoni ç’keni bërë!" Burri u përgjigj: "Ne ishin në dijeni të ekzistencës së lidhjes kishtare, por nuk i vumë rëndësi dhe e përbuzëm." Gjykatësi u përgjigj: "Meqenëse refuzuat ta ndiqnit Hyjin, drejtësia e lyp që të përjetoni ligësinë e xhelatit." Menjëherë etiopasi ua nguli kthetrat në zemër dhe i shtrëngoi fort sikur donte t’i shtrydhte. Dhe gjykatësi tha: "Shiko, bijë, kjo është çka meritojnë njerëzit kur me vetëdije largohen nga Krijuesi për hir të krijesave."

Gjykatësi u foli përsëri të dyve: "Ju dhashë një thes që ta mbushnit me frute që më pëlqejnë. E atëherë ç’më keni sjellë?" Gruaja u përgjigj: "O Gjykatës, ne ishim të dhënë pas gëzimeve ta barkut e s’kemi sjellë tjetër veç turpit." Pastaj gjykatësi i tha xhelatit: "Le të marrin ç’meritojnë!" Dhe ai menjëherë ua nguli kthetrën e dytë në bark dhe i katandisi aq keq saqë zorrët iu çpuan tejpërtej. Gjykatësi tha: "Shiko, bijë, këtë meritojnë njerëzit kur shkelin ligjin dhe dëshirojnë helmin sikur të ishte ilaç."

Gjykatësi u foli prapë të dyve: "Ku është thesari Im që ju pata besuar?" Që të dy u përgjigjën: "E shkelëm me këmbë pasi dëshironim thesar tokësor dhe jo të përjetshëm." Pastaj gjykatësi i tha xhelatit: "Bëju gjithçka meritojnë!" Menjëherë ai ua nguli kthetrën e tretë në zemër, bark dhe këmbë e i bëri lëmsh sa dukeshin si një top i madh. Etiopasi tha: "Zot, ku të shkoj me ta?" Gjykatësi u përgjigj: "Nuk ju takon të lartësoheni e të gëzoni." Atëherë burri dhe gruaja u larguan nga prania e gjykatësit duke qarë me të madhe. Gjykatësi foli përsëri: "Gëzohu, bijë, që nuk ke patur të bësh me krijesa të tilla."