Djalli iu shfaq nuses gjatë ngritjes së trupit të Krishtit e i foli asaj duke u përpjekur ta bindë se çka po ngrihej nuk ishte trupi i Krishtit. Menjëherë asai iu shfaq një engjëll i Hyjit për ta ngushëlluar dhe për t’i thënë që të mos i zinte besë djallit. Krishti shfaqet dhe e detyron djallin t’i tregojë asaj të vërtetën. Me trupin e Krishtit kungohen të këqinjtë dhe të mirët. Masat e duhura në rast tundimesh në lidhje me trupin e Krishtit.
Libri 4 – Kapitulli 61

Një krijesë e përbindshme iu shfaq nuses gjatë ngritjes së trupit të Krishtit dhe i tha: "Vërtet beson, o budallaçkë, se kjo copë buke është Hyji? Edhe mal sikur të kishte qenë, do të ishte konsumuar prej kohësh tani. Asnjë prej Judenjve të urtë të cilëve Hyji u ka dhënë urti nuk e beson këtë, e askush nuk mund ta besojë se Hyji do të lejonte që ta prekte e ta donte një prift i fëlliqur me zemër qeni. Nëse e verifikon çka të them, do ta shohësh se ky prift është i imi e kur të dua – dhe ai ka arritur në këtë pikë tani – do ta kap e do ta marr me vete."

Taman në atë çast u shfaq një engjëll i mirë dhe tha: "O, bijë, mos i vër mend të marrit! Kush t’u shfaq është ati i gënjeshtrave. Por bëhu gati se dhëndri ynë është afër." Dhëndri Jezus erdhi dhe i tha djallit: "Përse i bie në qafë bijës dhe nuses Sime? E quaj bijë sepse e kam krijuar dhe e quaj nuse sepse e kam shëlbuar dhe jam bërë një me të me anë të dashurisë." Djalli u përgjigj: "I flas me qëllim që ajo të ftohet ndaj Teje, kam leje ta bëj një gjë të tillë."

Zoti tha: "Ajo e provoi këtë natën e kaluar kur i shtype sytë dhe gjithë trupin e do ta kishe katandisur më keq po të të ishte lejuar. Por sa herë që ajo i bën ballë sulmeve të tua, shpërblimi i saj do të dyfishohet. Megjithatë, djall, meqenëse po thoje se Unë do të isha konsumuar shumë kohë më parë, m’u përgjigj ndërsa ajo po dëgjon me shqisën e saj fizike të të dëgjuarit. Shkrimi thotë se kur populli filloi të vdiste prej gjarpërinjve, u lartësua një gjarpër prej bronxi dhe kushdo që ishte kafshuar shërohej po ta shikonte. Thuamë nëse kjo forcë shëruese ishte veti e bronxit apo e llojit të gjarprit, virtyt i Mojsiut apo forcë e fshehtë hyjnore?" Djalli u përgjigj: "Forca shëruese nuk erdhi nga gjë tjetër përveçse nga pushteti i Hyjit dhe nga feja e njerëzve besimtarë dhe të bindur që besuan se Hyji, që kish bërë gjithçka nga hiçi, ishte në gjendje të bënte edhe gjithçka tjetër që nuk ishte bërë më parë."

Hyji tha përsëri: "Thuamë, djall, shkopi kthehej në gjarpër për meritë të Mojsiut apo sepse kështu urdhëronte Hyji?
Bëhej i tillë ngaqë Mojsiu ishte i shenjtë apo pse ashtu thoshte fjala e Hyjit?" Djalli i tha atij: "Ç’ishte Mojsiu përveçse një njeri i dobët në vetvete e që Hyji e bëri të drejtë? Me fjalën e tij, meqenëse Hyji e urdhëronte dhe lejonte, shkopi bëhej gjarpër pasi Hyji me të vërtetë e urdhëronte këtë dhe Mojsiu ishte shërbëtori i Tij i bindur. Përpara urdhrit dhe fjalës së Hyjit shkopi qëndronte shkop. Kur Hyji i vërtetë e urdhëronte, shkopi me të vërtetë bëhej gjarpër saqë edhe Mojsiu vetë trembej."

Zoti i tha nuses që po e ndiqte gjithë këtë: "Kjo ndodh tani në altar. Përpara fjalëve shuguruese, buka në altar është bukë. Kur thuhen fjalët 'Ky është trupi Im' buka bëhet trupi i Krishtit që marrin njerëzit, si të mirët ashtu edhe të këqinjtë, si një ashtu edhe njëmijë vetë, sipas së njëjtës së vërtetë por jo me të njëjtin ndikim, pasi për të mirët është jetë ndërsa për të këqinjtë është dënim. Nuk është aspak e vërtetë ajo që tha djalli se Hyji ndotet nga papastërtia e meshtarit që thotë meshën. Është njëlloj sikur një shërbëtor i gërbulur t’i jepte çelësat të zotit, apo sikur një i sëmurë të ofronte përzierje barnash të bërë nga bimë të fuqishme, gjendja e tyre nuk do të përbënte pengesë për marrësin e shërbimit pasi objektet kanë në vetvete po ato veti, pavarësisht se kush i sjell. Po ashtu Hyji nuk bëhet i keq prej ligësisë së një ministri të keq e as nuk bëhet më i mirë për shkak të një ministri të mirë, pasi Hyji është gjithmonë i pandryshueshëm dhe gjithnjë i njëjti. Djali foli të vërtetën kur tha se ky njeri do të vdesë së shpejti, këtë ai e kupton sepse është i mprehtë nga natyra dhe prej shenjave të jashtme, por ai nuk do të mund ta rrëmbejë pa lejen Time.

Megjithatë prifti i takon atij nëse nuk bën kthesë. Tre janë arësyet për këtë. Djalli foli taman kur tha se ai ka gjymtyrë erëkeqe dhe zemër qeni. Ai me të vërtetë bie erë dhe është i sëmurë me ethe, pasi së jashtmi ka zjarrmi por brenda është akull, ka etje të padurueshme, debulesë gjymtyrësh, nuk i shijon buka dhe ka neveri nga gjithçka e ëmbël. Ai në fakt digjet zjarr për botën dhe është i ftohtë ndaj Hyjit. Ka etje për kënaqësi fizike por ka neveri nga bukuria e virtytit. Nuk i shijojnë urdhëresat e Hyjit por është gjithë zell për gjithçka fizike. Prandaj nuk është për t’u çuditur që trupi Im nuk i shijon më tepër se buka e pjekur në furrë, pasi ai nuk mediton e as nuk e ndjen shijen veprave shpirtërore, por vetëm atë të trupit.

Pasi thuhet ‘O Qengji i Hyjit’ dhe trupi Im hyn në të tijin, fuqia e Atit e braktis dhe prania e ëmbël e Birit zhduket. Pasi i heq veshjet liturgjike, ai nuk gëzon më mbrotjen e Shpirtit Shenjt që është lidhje bashkimi. Vetëm forma dhe kujtesa e bukës i mbeten atij. Megjithatë ti nuk duhet të mendosh se ai apo dikush tjetër është pa Hyjin, pavarësisht sa i lig është. Hyji largohet prej tij në kuptimin që nuk i jep ngushëllim më të madh, por qëndron me të duke u treguar i durueshëm dhe duke e mbrojtur nga djalli.

Sa për djallin që tha se asnjë prej judenjve të urtë nuk pranon ta besojë këtë, përgjigja Ime është: Këta Judenj janë në kushtet e një njeriu që ka humbur syrin e djathtë. Ata çalojnë nga të dyja këmbët e tyre shpirtërore e prandaj nuk kanë urti e të tillë do të mbesin deri në fund. Prandaj nuk është për t’u çuditur që djalli i verbon dhe e ngurtëson zemrën e tyre dhe i shtyn në paturpësi dhe veprime që bien ndesh me besimin. Prandaj sa herë që të të vijë në mendje ndonjë mendim i tillë në lidhje me trupin e Krishtit, kërko ndihmën e miqve të tu shpirtërorë dhe qëndro e fortë në fe, të jesh plotësisht e sigurt se trupi që Unë mora nga Virgjëra, që u kryqëzua dhe tani mbretëron në qiell, po ai trup është në altar dhe se si i miri ashtu dhe i keqi kungohen me të.

Ashtu siç iu shfaqa në formë ndryshe dishepujve në rrugën për në Emaus dhe edhe pse isha Hyj i vërtetë dhe njeri i vërtetë kur erdha tek dishepujt përmes dyerve të mbyllura, po ashtu e tregoj Veten me formë tjetër nëpërmjet priftit në mënyrë që besimi të shpërblehet dhe mosmirënjohja njerëzore të dalë sheshit. Nuk ka për t’u çuditur: Unë jam tani po Ai që isha kur e shfaqa fuqinë dhe hyjninë Time me shenja dhe mrekulli të frikshme e prapë njerëzit thanë atëherë, "Le të bëjmë zotër që të na prijnë." Unë u tregova edhe natyrën Time njerëzore judenjve dhe ata e kryqëzuan. Unë jam po Ai çdo ditë në Altar dhe ata thonë: 'Na e shpifi e na mërziti ky ushqim.

Ç’mosmirënjohje më të madhe mund të ketë se të përpiqesh ta rrokësh Hyjin me arësye dhe të guxosh të gjykosh vendimet dhe misteret e fshehta që janë në pushtet dhe zotërim të Hyjit? Prandaj me anë të një ndikimi të padukshëm dhe të një forme të dukshme, Unë dëshiroj t’i tregoj të paditurit dhe të përvujatit se ç’është forma e dukshme e bukës pa substancën e bukës, ç’substancë ka në formën e saj, ç’është ndarja në formë pa substancë dhe pse Unë i duroj çnderime dhe fyerje të tilla ndaj trupit Tim. Këtë e bëj për të lartësuar të përvuajturin dhe për të turpëruar krenarin."