Djalli iu shfaq nuses me qëllim që ta mashtronte me arësyetime të gabuara në lidhje me sakramentin e trupit të Krishtit. Krishti i erdhi asaj në ndihmë dhe e detyroi djallin të thoshte të vërtetën. Krishti e siguron dhe udhëzon nusen në lidhje me trupin e Tij të lavdishëm në sakrament.
Libri 4 – Kapitulli 63

Një djall me një alamet barku iu shfaq nuses dhe i tha: "Grua, ç’beson ti? Për ç’gjëra të mëdha po mendon? Edhe unë di shumë gjëra dhe dua të ta vërtetoj çka them me arësyetim të kthjellët e të këshilloj të mos mendosh për gjëra të pabesueshme dhe t’u besosh shqisave të tua. A nuk sheh me sy dhe nuk dëgjon me veshë tingullin e thyerjes së bukës materiale të Hosties? Ti ke parë që e kanë pështyrë, e kanë prekur, e kanë përdhosur duke e hedhur përdhe dhe e kanë çnderuar edhe në shumë mënyra të tjera, gjëra që unë nuk do të lejoja të m’i bënin. Edhe nëse ka mundësi që Hyji të gjendet në gojën e të drejtit, si mund ta ulë veten Ai e të vijë tek i padrejti lakmia e të cilit nuk njeh kufi apo masë?"

Ajo iu drejtua Krishtit që u shfaq në formë njerëzore menjëherë pas tundimeve. Ajo tha: "O Zoti Jezu Krisht, të falenderoj për gjithçka, veçanërisht për këto tre gjëra. Së pari, që e ke veshur shpirtin tim me frymëzimin e pendesës dhe veprave pendestare me anë të të cilave çdo mëkat pastrohet, pavarësisht sa serioz mund të jetë. Së dyti, që e ushqen shpirtin tim me dashurinë Tënde dhe kujtimin e mundimeve të Tua të cilat e ripërtërijnë shpirtin si ushqimi më i mirë. Së treti, që Ti i ngushëllon të gjithë ata që të thërrasin mes vështirësive. Prandaj, Zot, ki mëshirë për mua dhe forcoje fenë time pasi edhe pse e meritoj të bëhem pre e mashtrimeve të djallit, prapë unë besoj se ai nuk mund të bëjë asgjë pa lejen Tënde dhe se Ti nuk jep leje kurrë pa e shoqëruar atë me ngushëllim."

Pastaj Krishti i tha djallit: "Pse i flet nuses Sime të re?" Djalli u përgjigj: "Sepse ajo është e lidhur me mua dhe unë ende shpresoj ta zë në grackë. Ajo është lidhur me mua atëherë kur ma ka vënë veshin dhe është përpjekur të më pëlqejë dhe më ka pëlqyer më tepër se Ty, Krijuesit të saj. I kam studiuar sjelljet e saj dhe ende s’më janë fshirë nga kujtesa." Zoti u përgjigj: "Mos vallë spiunon në çdo skutë? Djalli u përgjigj: "Po, unë spiunoj, por në errësirë. Ti më verbove." Hyji u përgjigj: "Kur ke parë ti dhe si u verbove?"

Djalli tha, "Unë mund të shihja kur më krijove shumë të bukur, por meqenëse iu kundërvura shkëlqimit Tënd, ai më verboi. Unë mund të të shihja kur dëshiroja bukurinë Tënde. Unë mund të të shihja dhe të njihja në ndërgjegjen time kur më zbove. Unë të njoha edhe kur u mishërove dhe bëra çka më dhe leje të bëja. Të njoha kur më rrëmbeve robërit. Çdo ditë unë e shoh fuqinë me të cilën më përqesh dhe më turpëron."

Zoti tha: "Nëse ti e di dhe e kupton të vërtetën rreth Meje, përse i gënjen të zgjedhurit e Mi? A nuk thashë Unë se ai që ha trupin Tim do të ketë jetë të përjetshme? Ndërsa ti thua se është gënjeshtër dhe se asnjë nuk e ha trupin Tim. Po të ishte kështu, atëherë të Mitë do të ishin më idhujtarë se ata që adhurojnë gurët dhe pemët. Edhe pse Unë di gjithçka, prapë m’u përgjigj ndërsa kjo grua po dëgjon, pasi ajo nuk është në gjendje t’i kuptojë të vërtetat shpirtërore përveçse me anë të imazheve. Trupi Im, që Toma preku pasi u ringjalla, ishte trup shpirtëror apo fizik? Nëse ishte fizik, si kaloi përmes dyerve të mbyllura? Por nëse ishte shpirtëror, si mund të shihej me sytë e trupit?"

Djalli u përgjigj: "Është e vështirë të flasësh kur të gjithë të shohin me dyshim dhe të detyrojnë me pahir të thuash të vërtetën. Megjithatë, meqenëse s’kam nga t’ia mbaj, unë pohoj se pasi u ngjalle nga të vdekurit Ti ishe edhe trupor edhe shpirtëror. Në sajë të fuqisë së përjetshme të hyjnisë Sate dhe për një privilegj të posaçëm të trupit Tënd të përlëvduar, Ti mund të hysh kudo dhe të jesh i pranishëm gjithandej." Zoti shtoi: "Thuamë, kur shkopi i Mojsiut kthehej në gjarpër, ishte thjesht imazhi i një gjarpri apo ishte krejtësisht gjarpër brenda dhe jashtë? Thuamë edhe nëse tepricat e bukës në ato shporta ishin vërtet dhe krejtësisht bukë apo thjesht një imazh buke?" Djalli u përgjigj: "I gjithë shkopi bëhej gjarpër, çka ishte në shporta ishte taman bukë dhe gjithçka u bë nga pushteti dhe forca Jote."

Zoti tha: "Mos vallë tani e kam më të vështirë se atëherë që të bëj mrekulli, në rast se dua? Nëse trupi Im i përlëvduar mund të kalonte përmes dyerve të mbyllura atëherë, përse tani nuk mundeshka të jetë në duart e priftërinjve? Mos ndoshta hyjnia Ime e ka të vështirë të bashkojë çka është e ulët me çka është qiellore, tokësoren me sublimen? Patjetër që jo. Por, o atë i gënjeshtrave, ashtu si ti shkëlqen në ligësi, po ashtu dashuria Ime është dhe gjithmonë do të jetë mbi të gjitha krijesat. Edhe nëse duket që dikush e djeg sakramentin me zjarr, apo një tjetër e shkel me këmbë, vetëm Unë e njoh besimin e gjithkujt dhe i rregulloj siç duhet dhe me durim. Unë i krijoj gjërat nga hiçi dhe të dukshmet nga të padukshmet. Unë mund të tregoj gjëra me anë të shenjave ose formave të dukshme dhe sido që ta ketë pamjen diçka, prapë ajo shihet si diçka tjetër."

Djalli u përgjigj: "Këtë të vërtetë e përjetoj çdo ditë kur njerëz që janë miqtë e mi ikin prej meje dhe bëhen miqtë e Tu. Por ç’të them tjetër? Skllavi e shpreh fare mirë me dëshira çfarë do të bënte me vepra nëse do t’i lejohej." Pastaj Biri i Hyjit foli edhe nje herë:
"Bija Ime, beso se Unë jam Krishti, rikthyesi i jetës dhe jo trathtari, i vërteti, vetë e vërteta dhe jo gënjeshtar, fuqia e përjetshme pa të cilën asgjë nuk ka qenë dhe nuk do të jetë. Nëse beson se Unë jam në duart e priftit, edhe sikur prifti vetë të ketë dyshim për këtë, atëherë Unë jam vërtet në duart e Tij për shkak të fesë së besimtarëve dhe të të pranishmëve, si edhe në sajë të fjalëve që Unë vetë caktova dhe shqiptova. Kushdo që më merr Mua, merr natyrat e Mia hyjnore dhe njerëzore si edhe formën e bukës.

Çështë Hyji përveçse jetë dhe ëmbëlsi, dritë ndriçuese, mirësi e këndshme, drejtësi e urtë, mëshirë shpëtimtare? Ç’është natyra Ime njerëzore përveçse një trup aktiv, bashkimi i Hyjit dhe njeriut, koka e gjithë të Krishterëve?
Prandaj ata që besojnë në Hyjin dhe marrin trupin e Tij, marrin edhe natyrën hyjnore, pasi ata marrin jetë. Ata marrin edhe natyrën njerëzore me të cilën Hyji dhe njeriu janë bashkuar. Marrin gjithashtu edhe formën e bukës sepse Ai që e fsheh formën e Vet, merret në një formë tjetër për të provuar besimin e njeriut. Në të njëjtën mënyrë të këqinjtë marrin po atë hyjni, por si gjykatës të rreptë dhe jo mik të dashur. Marrin edhe natyrën e Tij njerëzore, por jo të zbutur. Gjithashtu marrin fromën e bukës pasi marrin të vërtetën të fshehur në formën e dukshme, por nuk është e ëmbël për ta.

Pasi më fusin në gojë dhe më përtypin, sakramenti realizohet por Unë largohem prej tyre edhe si Hyj edhe si njeri dhe atyre u mbetet vetëm forma e bukës. Kjo jo sepse nuk jam vërtet i pranishëm si tek i keqi ashtu edhe tek i ligu, por sepse sakramenti nuk ka të njëtin ndikim tek miri dhe i keqi. Vetë Jeta, Hyji, i ofrohet njeriut në këtë flijim. Prandaj jeta hyn tek të këqinjtë por nuk qëndron me ta, pasi ata nuk heqin dorë nga ligësia. E kështu vetëm forma e bukës, që ata e perceptojnë me shqisa, mbetet për ta. Kjo nuk do të thotë se forma e bukës që fsheh substancën ka ndonjë ndikim tek ta, por që ata nuk e kosiderojnë çka kanë marrë më tepër se bukë dhe verë, siç I shohin. Është sikur një zotëri i fuqishëm të hynte në shtëpinë e dikujt dhe të shihej pamja e tij por të mos njihej mirësia e tij."