Nëna i flet bijës për një dhelpër dhe për djallin që, si dhelpër e zgjuar, i mashtron njerëzit me tundime të shumta, sidomos ata që sheh se po përparojnë në virtyt.
Libri 4 - Kapitulli 68

Nëna thotë: "Kafshëza e quajtur dhelpër është shumë punëtore dhe e shkathët për sigurimin e gjërave që i nevojiten. Ndonjëherë hiqet sikur po fle ose sikur ka ngordhur në mënyrë që zogjtë të mos rrinë syhapur dhe të ulen taman mbi të e kështu dhelpra lehtësisht të mund t’i kapë dhe shqyejë zogjtë e pakujdesshëm. Ajo vëzhgon si zogjtë fluturojnë dhe i kap e i përlan ato që sheh se ulen për t’u çlodhur përdhe ose nën ndonjë pemë. Por ata zogj që fluturojnë me të dyja flatrat, e pështjellojnë atë dhe e bëjnë të dështojë në përpjekjet e saj.

Dhelpra simbolizon djallin. Ai është gjithnjë në ndjekje të miqve të Hyjit dhe veçanërisht të atyre që nuk janë vrer e helm si ai. Ai hiqet sikur po fle apo sikur ka vdekur në kuptimin që ndonjëherë e lë njeriun pa tundime serioze në mënyrëv që ta mashtrojë e kur të mos e ketë mendjen ta fusë në kurth më lehtësisht me tundime më të lehta. Ndonjëherë ai e paraqet vesin si virtyt dhe virtytin si ves që njeriu të bjerë në kurth e të rrënohet, nëse nuk është i kujdesshëm. Një shembull do të të ndihmojë ta kuptosh këtë.

Ndonjëherë mëshira mund të jetë ves, konkretisht në rastin kur ajo shfaqet vetëm për t’u bërë qejfin njerëzve. Drejtësia e rreptë mund të jetë padrejtësi kur ushtrohet për lakmi ose padurim. Përvujtëria mund të jetë krenari kur njeriu përpiqet ta tregojë në sytë e njerëzve për të tërhequr vëmendjen e tyre. Durimi është virtyt por jo atëherë kur njeriu do të merrte hak po të kishte mundësi dhe e duron fyerjen vetëm se nuk ka si merr hak. Gjithashtu djalli ndonjëherë i zhyt njerëzit në prova dhe vështirësi për t’i mposhtur me anë të trishtimit të tepruar. Ka edhe raste kur djalli e mbush zemrën e njeriut me ankth dhe shqetësim që ai të ftohet në shërbimin ndaj Hyjit ose për ta shtyrë të kalojë nga pakujdesitë e vogla që tregon në disa drejtime në pakujdesi edhe më të mëdha.

Kështu e mashtroi dhelpra personin për të cilin po flas. Kur u plak dhe kishte gjithçka që donte dhe tha se ishte i lumtur e donte të jetonte ende, atëherë u rrëmbye nga jeta pa sakramente dhe i pa i shlyer fajet. Si milingonë ai grumbullonte rezerva natë e ditë, edhe pse jo në depon e Hyjit. Por kur po arrinte në hyrje të folesë për të sjellë kokrrën e grurit, ai vdiq dhe ua la punën të tjerëve. Ai që nuk grumbullon frytshëm në kohë korrjesh nuk do t’u gëzohet të korrave.
Lum zogjtë e Zotit që nuk flenë nën pemët e gëzimeve tokësore por në pemët e dëshirave qiellore. Edhe nëse i mbërthen ndonjë tundim i dhelprës së ligë, ata menjëherë i ikin nga duart me flatrat e rrëfimit të përvuajtur dhe shpresën e ndihmës qiellore."

SQARIM
Krishti, Biri i Hyjit, thotë: " Kush dëshiron të hypë në pemën që bën fruta të ëmbla, duhet të lirohet nga çdo barrë, i gatshëm për të vjelur, i pajisur me një enë të pastër ku të fusë frutat. Duhet të përpiqet me zell për ta zbukuruar trupin e tij me virtyte. Trupit duhet t’i japë çka i nevojitet, por jo gjëra të tepërta. Ky person duhet t’i largohet rasteve ku rrezikon të tregohet i papërmbajtur ose lakmitar dhe të japë shembull të mirë për të papërsosurit. Përndryshe do ta pësojë keq, do të vdesë papritur i goditur prej dorës Sime."
Dhe kështu ndodhi.