Krishti i bën disa pyetje nuses dhe ajo i përgjigjet dhe si Krishti i tha të zgjedhë në mes tre gjendjesh të lavdërueshme jetese: jetën si virgjër, e martuar ose e ve.
Libri 4 - Kapitulli 71

Biri i Hyjit i thotë nuses së Tij: "M’u përgjigj për këto katër pyetje. Nëse dikush i jep mikut të vet një hardhi të frytshme por e mban afër shtëpisë që të ketë kënaqësinë ta shohë dhe t’i marrë erë, ç’do të thotë dhuruesi nëse pronari i ri kërkon ta transplantojë diku tjetër ku ajo mund të japë edhe më shumë fryt?" Ajo përgjigjet: "Nëse ia dhuron nga dashuria dhe është i ndjeshëm dhe ia dëshiron të mirën shokut, atëherë me siguri do ta lejojë të bëjë ç’të dojë me hardhinë e do t’i thotë: 'Miku im, edhe pse do të më pëlqente ta kisha afër hardhinë, prapë ajo nuk më jep aq shumë fryt, prandaj jam dakord që ti ta transferosh, nëse dëshiron, në një vend më pjellor.'"

Zoti pyeti për herë të dytë: "Nëse prindërit do t’ua jepnin vajzën e tyre një të riu dhe ajo do të pranonte, por djali, kur prindërit e pyesin nëse do ta marrë atë apo jo, nuk përgjigjet, a quhet vajza e fejuar me të?" Ajo u përgjigj: "Mua më duket se meqenëse djali nuk e jep pëlqimin e vet, vajza nuk është e fejuar."

Zoti foli për herë të tretë: "Një i ri fisnik në shoqërinë e tre vajzave u propozon atyre se kush prej tyre do të shprehet në mënyrë të tillë që ta ndezë dashurinë e tij më shumë, do të ketë çka do më fort. Vajza e parë përgjigjet: 'Unë e dua këtë djalë kaq shumë sa më mirë vdes sesa e humb nderin me një burrë tjetër.' Vajza e dytë thotë: 'Do të isha gati të duroja gjithçka sesa të thoja qoftë edhe një fjalë të vetme që atij nuk i pëlqen.' E treta u përgjigj: 'Unë do të isha gati t’i nënshtrohesha çdo vuajtjeje apo dënimi sesa të shihja ta tallnin apo ta dënonin sadopak.' '' Zoti tha: "Thuamë, cila prej këtyre tre vajzave e do më shumë djalin dhe meriton dashuri më të madhe prej tij?" Ajo u përgjigj: "Më duket se të treja e duan njëlloj pasi të gjitha janë të të njëtit mendim në lidhje me të dhe që të treja e meritojnë njëlloj dashurinë e tij."

Zoti foli për të katërtën herë: "Dikush u këshillua njëherë me mikun e tij dhe tha: 'Kam grurë shumë pjellor. Nëse mbillet, jep shumë fryt.
Por unë jam shumë i uritur, prandaj çfarë më këshillon: ta ha apo ta mbjell?' Miku i përgjigjet: 'Mund ta shuash urinë herë tjetër. Tani të leverdis ta mbjellësh.' " Pastaj Zoti shtoi: "Bija, ime, nuk mendon edhe ti kështu – a nuk duhet personi që ka uri të bëjë durim dhe ta mbjellë grurin që ai të bëhet i dobishëm për shumë vetë?"

Zoti tha përsëri: "Këto katër shembuj vlejnë për ty. Bija jote është si hardhi që ti ma kë premtuar dhe ma ke dhënë Mua. Por tani, meqenëse Unë di një vend më të përshtatshëm për të, dua ta çoj ku më pëlqen dhe ti nuk duhet të shqetësohesh nga kjo pasi ti vetë re dakord për transferimin e saj."

Zoti tha përsëri: "Ti më dhe tët bijë, por Unë nuk të tregova çfarë më pëlqen më tepër, virgjëria apo martesa e saj dhe as të tregova nëse nëse sakrifica jote më pëlqente apo jo. Prandaj gjërat e bëra me mëdyshje mund të ndryshohen ose të korigjohen tani që dihen me siguri."Zoti tha përsëri: "Virgjëria është e mirë dhe madhështore pasi i përngjan gjendjes engjëllore kur ruhet me urti dhe virtyt.
Por nëse një prej këtyre mungon, domethënë nëse ka virgjëri trupore por jo mendore, atëherë kjo virgjëri është deformuar. Një grua e martuar e devotshme dhe e përvuajtur është më e pranueshme për Mua se një virgjër krenare dhe jomodeste. Një grua e martuar që i trembet Hyjit, që vetëpërmbahet dhe jeton sipas rregullit të gjendjes së saj, mund të fitojë meritë të barabartë me atë të një virgjëre të përvuajtur dhe modeste. Edhe pse është gjë e madhe ta kalosh provën e zjarrit pa u djegur, është njëlloj gjë e madhe të qëndrosh jashtë zjarrit të gjendjes fetare por të dëshirosh të jesh brenda zjarrit dhe të digjesh me zell më madh jashtë zjarrit se ai që është brenda në zjarr.

Po të sjell shembullin e tre grave – Suzanës, Juditës dhe Teklës virgjër. E para ishte e martuar, e dyta e ve, e treta virgjër. Kishin mënyra të ndryshme jetese dhe bënë zgjedhje të ndryshme, por fituan shpërblim të ngjashëm në sajë të veprave të tyre të denja. Kur priftërinjtë i ranë kot në qafë Suzanës, ajo preferoi të vdiste, nga dashuria për Hyjin, sesa të turpërohej. Meqenëse ajo më trembej Mua që jam kudo i pranishëm, ajo meritoi të shpëtohet dhe të përlëvdohet. Kur Judita pa çderimin që më bënin Mua dhe popullin që po humbiste, ajo u shqetësua aq shumë saqë jo vetëm iu ekspozua qortimit dhe dënimit për hir të dashurisë për Hyjin, por ishte gati të ndëshkohej për hatrin Tim. Së fundi, Tekla që ishte virgjër, preferoi të hiqte vuajtje të tmerrshme sesa të thoshte edhe një fjalë të vetme kundër Meje. Këto tre gra, edhe pse nuk vepruan njëlloj, prapë se prapë ishin të barabarta në meritë. Prandaj qoftë i virgjër apo i ve, njeriu mund të më pëlqejë njëlloj, mjaft që e gjithë dëshira e tij të jetë drejtuar kah Unë dhe që jeta e tij të jetë e virtytshme."

Zoti tha përsëri: "Për Mua është njëlloj e pranueshme si nëse bija jote qëndron virgjër ashtu edhe nëse martohet, mjaft që kjo gjë të bëhet sipas vullnetit Tim. Ç’dobi do të kishte për të nëse mbyllet në klauzurë me trup por mbetet përtej mureve me mendje? Apo ç’do të ishte më e lavdishme: të jetonte për vete apo për të mirën e të tjerëve? Unë i di dhe i prashikoj të gjithçka dhe nuk bëj asgjë pa ndonjë arësye. Prandaj ajo nuk do të arrijë në destinacionin e vet me frutin e parë, pasi ky do të ishte fryt i frikës, as me frutin e dytë, pasi ky do të buronte nga vakësia.
Por do të arrijë në gjendjen e ndërmjetme pasi kjo ka nxehtësinë e duhur të dashurisë dhe frytin e virtytit. Por ai që do ta marrë duhet të ketë këto tre gjëra – shtëpi, veshje dhe ushqim të mjaftueshëm."

SQARIM
Biri thotë: "Ti po vret mendjen përse kjo virgjër nuk u martua ashtu siç kishe shpresuar ti. Po të përgjigjem me një shembëlltyrë. Një fisnik vendoi t’ia japë të bijën për nuse një varfanjaku. Personi që duhej të ish fejuar me vajzën i shkeli ligjet e qytetit dhe u dëbua me turp nga banorët dhe nuk mori vajzën që dëshironte. Unë veprova në të njëjtën mënyrë me sundimtarin e këtij vendi. Premtova se do të bëja gjëra të mëdha për të, por ai u bashkua me armiqtë e Mi e prandaj nuk i mori gjërat që i premtova.
Por ti mund të pyesësh: A nuk mund ta parashikoja Unë të ardhmen? Patjetër, Unë e parashikova njëlloj si në rastin e Mojsiut dhe të popullit të tij. Unë kam treguar dhe tregoj shumë gjëra që njerëzit të përgatiten për gjëra të mira dhe të dinë çfarë të bëjnë dhe të presin me durim. Por ta dish se një mallkim kaloi dhe një tjetër do të kalojë mbi mosmirënjohësit e kësaj mbretërie në mënyrë që bekimi Im të vijë pastaj mbi të përvuajturit që kërkojnë mëshirën Time. Ta dish edhe se do të ishte më mirë për virgjërën të ndiqte këshillën e të urtëve dhe Timen."
Virgjëra mendohet se është Zonja Sesilia, vajza e Shën Brixhidës. Në lidhje me të, shih jetëshkrimin e Shën Brixhidës.