Krishti i flet nuses dhe i tregon asaj se shpirti i devotshëm duhet që si një nuse të ketë gojë të bukur, veshë të pastër, sy modestë dhe zemër të palëkundur. Ai jep një shpjegim shumë të bukur shpirtëror të të gjithave pjesëve trupore të përmendura.
Libri 4 - Kapitulli 82

Biri thotë: "Si nuse ti duhet të kesh gojë të bukur, veshë të pastër, sy modestë dhe zemër të palëkundur. Edhe shpirti duhet të ketë të njëjtat cilësi. Goja është mendja e tij e pastër ku nuk mund të hyjë asgjë përveç asaj që Mua më pëlqen. Goja e tij, domethënë mendja, le të zbukurohet nga aroma e mendimeve të mira që vijnë nga meditimi mbi Pasionin Tim. Mendja e tij le të jetë si gojë e përskuqur nga zelli i dashurisë hyjnore për të vënë në praktikë çfarë kupton. Ashtu si askush nuk dëshiron të puthë një gojë të pabojë, as Mua nuk më pëlqen fare një shpirt nëse ai nuk kryen vullnetarisht vepra të mira. Ashtu si goja, mendja e tij duhet të ketë dy buzë, domethënë dy veti: dëshirë për gjërat qiellore dhe përçmim për gjithë gjërat tokësore. Qiellza e poshtme duhet të jetë frika nga vdekja që e ndan shpirtin nga trupi dhe frika nga gjendja në të cilën do ta gjejë veten pastaj. Qiellza e sipërme duhet të jetë frika nga gjykimi i tmerrshëm.

Gjuha e shpirtit duhet të qëndrojë në mes këtyre dy qiellzave. Ç’është gjuha e shpirtit në mos meditimi i vazhdueshëm për mëshirën Time? Prandaj, kur mediton për mëshirën Time dhe si të kam krijuar dhe të kam shëlbuar dhe sa i durueshëm jam me ty, mendo edhe sa gjykatës i rreptë jam dhe si Unë nuk lë asgjë pa ndëshkuar dhe mendo edhe sa e pasigurtë është ora e vdekjes. Sytë e shpirtit duhet të jenë të pafajshëm si sytë e pëllumbit që sheh një fajkua pranë ujrave. Me fjalë të tjera, mendimet e tua le të jenë gjithnjë për dashurinë Time dhe për vuajtjet e Mia dhe për veprat dhe fjalët e të zgjedhurve të Mi. Me ndihmën e tyre ti do ta kuptosh si djalli është i aftë të të mashtrojë e prandaj ti nuk mund të jesh kurrë e sigurtë për veten. Veshët e tu duhet të jenë të pastër që ti mos të dëshirosh të dëgjosh vulgaritete dhe biseda të kota. Zemra jote duhet të jetë e palëkundur që ti mos t’i trembesh vdekjes për hir të fesë dhe as të mos skuqesh nga qortimet e botës apo për humbjen e trupit për hatrin Tim, Hyjin tënd."