Engjëlli i flet nuses për gjykimin e shpirtit të sipër-përmendur dhe për veprat që duhen kryer në këtë jetë në të mirë të shpirtit që vuan në purgator.
Libri 4 - Kapitulli 9

Engjëlli flet përsëri: "Dëgjove më parë se, në sajë të dashurisë së Hyjit dhe lutjeve të miqve të Hyjit, ky njeri u pendua për mëkatet e veta pak para se të vdiste dhe kjo pendesë e shpëtoi nga ferri. Drejtësia e Hyjit vendosi që ai duhet të digjej për gjashtë epoka në purgator pasi të vdiste nëse nuk do ta ndihmonin miqtë e Hyjit në tokë. Këto epoka simbolizojnë fazat që ai jetoi nga momenti kur për herë të parë kreu me ndërgjegje mëkat mortor deri kur u pendua sinqerisht.

Epoka e parë nënkupton që ai nuk e deshi Hyjin për vdekjen e trupit fisnik të Krishtit dhe për vuajtjet e shumta që Krishti hoqi për shpëtimin e shpirtrave. Epoka e dytë nënkupton se ai nuk e deshi shpirtin e vet ashtu siç duhet ta dojë një i krishterë, nuk e falenderoi Hyjin për pagëzimin dhe për faktin që nuk ishte hebre apo pagan. Epoka e tretë nënkupton se ai e dinte fare mirë çfarë Hyji i urdhëronte të bënte, por i mungonte dëshira vepronte ashtu. Epoka e katërt nënkupton se ai e dinte fare mirë çfarë Hyji i ndalonte të bënte atij që dëshironte të shkonte në qiell e prapë guxoi të bënte vepra të ndaluara e të mos bënte çka i diktonte ndërgjegja por pasionet dhe dëshirat e veta. Epoka e pestë nënkupton se ai nuk i përdori siç duhet mjetet e hirit dhe të rrëfimit, edhe pse kishte boll kohë për ta bërë këtë. Epoka e gjashtë nënkupton se ai nuk merakosej fort për trupin e Krishtit dhe nuk dëshironte ta merrte shpesh pasi nuk donte të hiqte dorë nga mëkati e as nuk kishte dashuri të mjaftueshme për Hyjin që ta shtynte të merrte trupin e Krishtit deri në fund të jetës."

Pastaj u shfaq një burrë me pamje tepër modeste. Kishte rroba të bardha që shkëlqenin si petk priftëror; kish lidhur në mes një rrip të linjtë dhe në qafë mbante një shall të kuq. Nisi të flasë në këtë mënyrë: "Ti që e sheh këtë, hapi sytë dhe mbaj mend çfarë sheh dhe dëgjon. Ti dhe të gjithë ata që jetojnë në botë, ndryshe nga ne që jemi me Hyjin, nuk mund ta kuptoni pushtetin e Tij dhe çfarë Ai ka vendosur qysh para krijimit të kohës. Gjithçka ndodh në një çast të vetëm për Hyjin e ti nuk mund ta kuptosh por nuk t’u shpjegua me fjalë dhe imazhe. Unë jam njëri prej atyre të cilët ky njeri që tani ndodhet në purgator e nderoi me dhurata gjatë jetës. Për këtë arësye Hyji më ka lejuar që nëse dikush bën çfarë unë këshilloj, atëherë shpirti i këtij njeriu do të trasferohet në një vend më të lartë ku do të marrë formën e tij të vërtetë dhe nuk do të ketë dhimbje tjetër përveç asaj që vuan njeriu pasi ka ka kaluar një sëmundje të rëndë dhe kur gjithë dhimbja i është fashitur e rri shtrirë si dikush që nuk ka fuqi, por plot gëzim nga siguria se do të mbijetojë.

Siç dëgjove, shpirti i këtij njeriu thirri pesë herë vaj. Prandaj kam pesë gjëra ngushëlluese për të. Vaji i parë ishte ngaqë e kish dashur pak Hyjin. Për ta çliruar prej kësaj, le të dhurohen për këtë shpirt tridhjetë kelqe për ofrimin e gjakut të Hyjit, në mënyrë që Hyji të nderohet më tepër. Vaji i dytë lidhej me mospasjen e frikës së Hyjit. Për ta çliruar nga kjo, lë të zgjidhen tridhjetë priftërinj të përshpirtshëm, secili prej të cilëve duhet të thotë tridhjetë mesha kur të mundet: nëntë mesha martirësh, nëntë dëshmitarësh, nëntë shenjtërish; mesha e njëzetetetë duhet thënë për engjëjt, e njëzetenënta për Shenjten Mari, e tridhjeta për të Lumen Trini. Të gjithë duhet të kenë njetin për t’u lutur për shpirtin e tij, që zemërimi i Hyjit të qetësohet dhe drejtësia e Tij të kthehet në mëshirë.

Vaji i tretë kishte të bënte me krenarinë dhe lakminë e tij. Për ta çliruar nga kjo, dikush duhet të ftojë tridhjetë varfanjakë dhe t’u lajë me përvujtëri këmbët dhe t’u japë ushqime, para dhe veshje. Si ai që i lan ashtu edhe ata që lahen duhet ta lusin Hyjin përvujtërisht për përvujtërinë dhe mundimet e Tij të mëdha, që Ai ta falë shpirtin e këtij njeriu për fajin e lakmisë dhe krenarisë. Vaji i katërt kishte të bënte me epshin. Prandaj nëse dikush do të ndihmojë një virgjër dhe një të ve të hyjnë në kuvend dhe do të të kujdeset për një vajzë që ajo të bashkohet me martesë të vërtetë, duke u dhënë atyre mjete të mjaftueshme ushqim dhe veshje, atëherë Hyji do t’i falë mëkatet epshore të këtij njeriu pasi këto janë tre mënyrat e jetesës që Hyji ka caktuar për njerëzit.

Vaji i pestë kishte të bënte me mëkate të shumta që ai kishte bërë në dëm të shumë njerëzve, në veçanti ai kishte bërë përpjekje të shumta për të lidhur në martesë dy prej personave të përmendur më pare e që kishin lidhje të afërta gjaku, pra që ishin si një familje. Përveç kësaj ai e ujdisi këtë martesë më tepër për interesin e vet se se për interest e mbretërisë. Veproi kështu pa lejen e papës dhe kundër urdhëresave të nderuara të Kishës së Shenjtë. Shumë vetë u martirizuan sepse nuk i toleruan vepra të tilla kundër Hyjit dhe Kishës së Shenjtë dhe kundër moralit të krishterë.

Nëse ka ndonjë që dëshiron ta shlyejë një mëkat kaq të madh, ai duhet të shkojë tek papa dhe t’i thotë: 'Dikush ka kryer aksh e aksh mëkat', pa e përmendur emrin e personit, 'por në fund u pendua dhe u fal edhe pse nuk arriti ta shlyente mëkatin. Prandaj caktomë një vepër pendese pasi jam gati ta shlyej unë atë mëkat në vend të tij.' Me të vërtetë, edhe sikur mos t’i ngarkohet të bëjë vepër pendese më të madhe se recitimi i një ‘Ati ynë’, ajo do të mjaftojë që ndëshkimi i shpirtit në purgator të zbutet."