Krishti i mëson nuses lutje të bukura për kur vishet, kur ulet në tryezë dhe kur shkon në shtrat. Ai e këshillon të jetë e përvuajtur në veshje dhe e virtytshme dhe e vetëkontrolluar në përdorimin e trupit të vet.
Libri 4 – Kapitulli 94

Biri i Hyjit i flet nuses dhe thotë: "Bukuria e jashtme simbolizon bukurinë e brendshme që duhet të ketë njeriu. Prandaj kur ti vë vellon për të mbledhur flokët, ti duhet të thuash: 'Zot Hyj, të falenderoj se më mbështete kur mëkatova. Për shkak të jetës së jetuar pa vetëpërmbajtje, nuk jam e denjë të të shikoj, prandaj po i mbuloj flokët me vello.' " Zoti shtoi: "Kam aq neveri nga mungesa e vetëpërmbajtjes sa edhe një virgjër që ka synim t’i gëzohet kënaqësive epshore nuk është virgjër e pastër në sytë e Mi nëse ajo nuk e korigjon synimin me anë të pendesës.

Kur e mbulon ballin me vello, ti duhet të thuash: 'Zot Hyj, Ti që i ke krijuar mirë të gjitha krijesat dhe e ke krijuar njeriun sipas imazhit Tënd duke ia kaluar gjithë krijesave të tjera, ki mëshirë për mua! Meqenëse nuk e kam përdorur bukurinë e fytyrës sime për lavdinë Tënde, po e mbuloj ballin me vello.' Kur vesh këpucët, thuaj: 'I bekuar je Ti, Hyji im, që më urdhëron të vesh këpucë në mënyrë që të jem e fortë dhe jo e ngathët në shërbimin Tënd. Më forco pra që të ec në udhën e urdhëresave të Tua.' Ti duhet të tregosh përvujtëri në të gjitha veshjet e tua dhe të jesh e virtytshme dhe ta kontrollosh veten në përdorimin e gjithë trupit tënd.

Kur të ulesh në tryezë, thuaj: 'Zot Hyj, po deshe, pasi Ti mundesh ta bësh këtë, të kërkoj të më lejosh të jetojmë pa ushqim. Megjithatë, meqenëse na ke urdhëruar të hamë me masë, të kërkoj të më japësh vetëpërmbajtje në të ushqyer kështu që, me hirin Tënd, të ha aq sa natyra ime ka nevojë dhe jo sipas tekave të trupit.'

Kur shkon në shtrat, thuaj: 'I bekuar je Ti, Hyji im, që na ke dhënë kohë për çlodhjen e shpirtit dhe të trupit! Të lutem t’i japësh trupit tim pushim këtë natë dhe ruamë nga fuqia dhe mashtrim i armikut.' "