Krishti i flet nuses dhe thotë se mëkatarët dhe indiferentët do të qëllohen me katër shigjeta, domethënë me katër qortimet që gjenden këtu në mënyrë që ata të pendohen dhe të bëjnë kthesë.
Libri 4 - Kapitulli 98

Biri thotë: "Miqve të Mi do t’u jap katër shigjeta. Me të parën do të goditet ai që është i verbër nga njëri sy; me të dytën ai që është i çalë nga njëra këmbë; me të tretën ai që është shurdh nga njëri vesh; me të katërtën ai që është i shtrirë përdhe.

Njeriu i verbër nga njëri sy simbolizon ata që i shohin urdhëresat e Hyjit dhe veprat e shenjtërve por nuk u kushtojnë vëmnedje. Por ama shohin kënaqësitë e botës dhe i dëshirojnë. Njerëz të tillë duhen goditur duke u thënë kështu: 'Ju jeni si Luciferi i cili e pa bukurinë e pashoqe të Hyjit por, duke qenë se padrejtësisht dëshiroi çka nuk duhet të kishte dëshiruar, përfundoi në ferr. Edhe ju do të përfundoni atje nëse nuk vini në vete, pasi ju i kuptoni urdhrat e Hyjit dhe natyrën kalimtare të gjithçkaje në botë. Këshilla më e mirë për ju atëherë është që të shtrëngoni çfarë është e sigurtë dhe të lëshoni çka është kalimtare e kështu nuk do të përfundoni në ferr.'

Njeriu i çalë nga njëra këmbë simbolizon ata që pendohen dhe u vjen keq për mëkatet që kanë kryer, por që përpiqen për të mirat e kësaj bote. Njerëz të tillë duhen goditur në këtë mënyrë: 'Ju përpiqeni për të mirën e trupit që shpejt krimbat do ta hanë. Më mirë përpiquni për të mirën e shpirtit që do të jetojë përgjithmonë.'

Njeriu shurdh nga njëri vesh simbolizon ata që dëshirojnë t’i dëgjojnë fjalët e Mia dhe të shenjtërve të Mi por e mbajnë veshin tjetër hapur për biseda banale dhe tokësore. Thuaju kështu: 'Ju jeni si Juda që i dëgjonte fjalët e Hyjit me njërin vesh dhe i dilnin nga veshi tjetër. Çka dëgjoi nuk i solli atij asnjë të mirë. Mbyllini veshët para fjalëve boshe që të dëgjoni këngën ëngjëllore.'

Njeriu i shtrirë përdhe simbolizon ata që janë të dhënë pas interesave tokësore por prapë mendojnë dhe dëshirojnë të dinë mënyrën si të bëjnë kthesë. Thuaju kështu: 'Koha është e shkurtër. Është vetëm një çast. Ndërsa ndëshkimi i feriit është i pasosur dhe lavdia e shenjtërve e përjetshme. Prandaj, që të fitoni jetën e vërtetë, mos kini frikë të merrni përsipër një barrë të rëndë dhe të vështirë pasi Hyji është i drejtë po aq sa është i mirë.'

Nëse shigjeta del e gjakosur nga zemra e ndonjërit prej atyre që goditen kështu, domethënë nëse ai pendohet dhe vendos të bëjë kthesë, atëherë Unë do të derdh mbi të vajin e hirit Tim me të cilin gjithë trupi i tij do të ripërtërihet."