Krishti i flet nuses dhe ankohet për Judenjtë që e kryqëzuan. Ai ankohet edhe për të Krishterët që tallen me Të dhe dashurinë dhe drejtësinë e Tij duke mëkatuar me mendjemadhësi dhe me dashje kundër urdhëresave të Tij dhe duke i shpërfillur vendimet e kishës për çkishërim me pretekstin se Hyji është i mëshirshëm. Prandaj Ai i kërcënon me furinë dhe zemërimin e drejtësisë së Tij.
Libri 4 - Kapitulli 99

Nëna thotë: "Në kohën e vuajtjeve të tim Biri, kur u afrua Juda, trathtari i Tij, Ai u përkul –pasi Juda ishte shtatvogël- i dha një të puthur dhe i tha: 'Mik, për çfarë ke ardhur?' Dhe disa prej atyre atje e kapën menjëherë, të tjerë e tërhoqën nga flokët apo e ndotën me pështyma."

Pastaj Biri tha: "Më konsiderojnë si krimb që qëndron si i vdekur në dimër. Kalimtarët e pështyjnë dhe e shkelin. Judenjtë më trajtuan si krimb pasi më çmuan si krijesën më të ulët dhe më të padenjë. Kështu tallen me mua edhe të krishterët, pasi ata e konsiderojnë si të pakuptimtë gjithçka që kam bërë dhe duruar për ta nga dashuria. Ata më shkelin sa herë që kanë frikë dhe nderojnë njerëzit më tepër Mua, Hyjin e tyre, sa herë që e mbajnë gjykimin Tim për hiç dhe i caktojnë kohë dhe masë mëshirës Sime sipas mendjes së vet.

Ata më godasin dhëmbët sa herë që, duke dëgjuar për urdhërimet dhe vuajtjet e Mia, thonë: 'Le të bëjmë ç’na pëlqen tani se, sido që të jetë, do të shkojmë në qiell. Nëse Hyji do të donte që ne të zhdukeshim apo të dënoheshim përjetësisht, Ai nuk do të na kishte krijuar dhe shëlbuar me një çmim kaq të mundimshëm.' Prandaj drejtësia Ime do të bjerë mbi ta. Ashtu sikurse edhe e mira më e vogël nuk do të mbesë pa shpërblim, ashtu edhe e keqja më e vogël nuk do të mbesë pa u ndëshkuar. Ata më trajtojnë me tallje, sikur të më shtypnin me këmbë, sa herë që e shpërfillin vendimin e kishës për çkishërim. Ashtu si njerëzit i shmangin të çkishëruarit, edhe këta do të ndahen prej Meje, pasi çkishërimi, kur njihet por nuk merret seriozisht, plagos më rëndë se shpata fizike.
E atëherë, meqenëse u dukem si krimb, do të vij në jetë përsëri me anë të gjykimit Tim të tmerrshëm. Ardhja Ime do të jetë aq e tmerrshme sa ata që e shohin do t’u thonë maleve: 'Bini mbi ne, fshihnani nga fytyra e zemëruar e Hyjit!' "